Situata në Milot ka kaluar çdo kufi normaliteti, teksa trafiku në këtë nyje kyçe rrugore vijon të jetë i paralizuar. Prej orësh të tëra, automjetet që vijnë nga Fushë-Kruja, Lezha dhe Shkodra kanë mbetur të bllokuara në rradhë kilometrike, ndërsa temperatura e lartë dhe mungesa e lëvizjes kanë detyruar shumë drejtues mjetesh dhe pasagjerë të zbresin në këmbë për të marrë frymë.
Pamje të publikuara nga qytetarët tregojnë skena absurde, ku shoferët kanë braktisur timonin për të ecur në rrugë, ndërsa një punonjës policie, i vetmi i dukshëm në vendngjarje, shfaqet duke vëzhguar situatën pa ndërhyrë, duke shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale.
Kaosi i përvitshëm i verës në Milot është kthyer në një makth për pushuesit dhe banorët e zonës, ndërsa autoritetet duket se nuk kanë asnjë plan menaxhimi konkret për të përballuar fluksin e automjeteve. Ndërkohë, nuk ka ende asnjë deklaratë zyrtare nga Policia Rrugore apo Ministria e Infrastrukturës për këtë bllokim të përsëritur dhe paralizues të lëvizjes.







