FLASH :

Video/Ky është kaosi i përditshëm i Rinasit: Aeroporti i Tiranës kthehet në ferr për udhëtarët

“Unë e bëj çdo ditë këtë rrugë. Ka raste që më duhet të kaloj nga aty edhe tre apo katër herë në ditë. Dhe gjithmonë, pa përjashtim, has të njëjtin problem: trafik i rënduar.”

Kjo është dëshmia e një prej qindra drejtuesve të mjeteve që përballen përditë me rrëmujën që ka pushtuar rrugën drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës. Pamjet dhe rrëfimet nga vendi e bëjnë të qartë: kaos i plotë, rrugë të bllokuara, asnjë sinjalizim dhe zero kontroll.

“Ka edhe trima që futen kundravajtje”

Përveç trafikut të rënduar, qytetarët ankohen edhe për sjelljen arrogante të drejtuesve të mjeteve që futen në kundravajtje për të shmangur radhën. “Ne që zbatojmë ligjin rrimë e presim me orë të tëra, ndërsa të tjerët kalojnë lirshëm në korsinë e kundërt pa asnjë ndëshkim”, thotë denoncuesi.

Policia? S’ka interes…

Sipas dëshmisë, janë bërë dhjetëra telefonata në polici për të kërkuar ndërhyrje, por përgjigja ka qenë zhgënjyese. “Kanë ardhur dy herë para tre muajsh, vendosën disa gjoba për ata që parakalonin në krahun e gabuar… dhe shnet! Që atëherë, s’i kemi parë më.”

Ndërkohë, fluksi i automjeteve sa vjen e rritet, sidomos gjatë sezonit turistik, duke e kthyer udhëtimin drejt aeroportit në një ankth të vërtetë për qytetarët dhe turistët.

Sipermarresi privat qe administron aeroportin por dhe qeveria dhe institucionet përkatëse nuk po ofrojnë asnjë zgjidhje. Rruga drejt aeroportit më të rëndësishëm të vendit, që duhet të ishte shembull organizimi dhe efikasiteti, është sot simboli i dështimit në menaxhim urban dhe rrugor.