Një semafor i vetëm në aksin që lidh Plepat me Urën e Dajlanit po kthehet në makthin e përditshëm për mijëra drejtues automjetesh që hyjnë dhe dalin në qytetin e Durrësit, sidomos gjatë fundjavave dhe sezonit turistik.
Pamjet e publikuara nga aplikacionet e navigimit tregojnë rradhë të gjata kilometrike që nisin nga Shkëmbi i Kavajës e shkojnë deri në hyrje të qytetit, ndërsa qindra pushues mbeten të bllokuar nën temperaturat përvëluese të gushtit.
Pavarësisht fluksit të parashikueshëm gjatë sezonit veror, autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të zgjidhur këtë nyje problematike infrastrukturore. Mungojnë mbikalimet, nënkalimet apo zgjidhjet inteligjente të trafikut, ndërsa semafori në mes të askundit vazhdon të jetë pengesë për qarkullimin kombëtar.
Ky problem nuk është i ri dhe është pasojë e një mungese totale vizioni urban dhe menaxhimi strategjik nga ana e qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse. Ndërkohë që turizmi është promovuar si prioritet kombëtar, realiteti në terren dëshmon për një papërgjegjshmëri totale dhe një administratë që ecën mbrapa nevojave reale të qytetarëve dhe vizitorëve.
Në vend që të parashikojë dhe zgjidhë, qeveria vijon të mos reagojë ndaj një problematike që jo vetëm i ul vlerën turizmit, por edhe ndikon në jetën e përditshme të banorëve të Durrësit dhe rrethinave.








