Elvis Zoto, një 22-vjeçar shqiptar që mbërriti ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me gomone në vitin 2022, ka qenë subjekti i një vendimi të fundit të Gjykatës së Lartë në Londër, ku më në fund është dhënë drita jeshile për deportimin e tij – tre vite pas mbërritjes së parë.
Zoto, i cili mbërriti në Britani përmes rrugës së zakonshme të emigrantëve shqiptarë – nga Belgjika në Francë e më pas me gomone në Dover – u akomodua në një hotel luksoz me katër yje në Basingstoke, por qëndroi aty vetëm dy ditë. Ai u largua duke dalë nga dritarja, në atë që më vonë u konsiderua një “arratisje e planifikuar”, dhe nisi jetën nëntokësore në Londër, duke u përfshirë në rrjete të shitjes së kokainës “crack”.
Në rrjetet sociale, Zoto nuk e fshehu aspak aktivitetin e tij. Ai postoi video në TikTok me tufa parash, si dhe një foto të formularit të regjistrimit në Home Office, duke u mburrur hapur me hyrjen ilegale në vend. Në një komunikim me një gazetar të “Mail on Sunday”, që e kontaktoi si emigrant i supozuar nga Franca, ai e përshkroi udhëtimin si “të lehtë” dhe pa frikë.
Në nëntor 2023, ai u arrestua nga policia në Essex dhe u dënua në prill 2024 me 2 vjet e 9 muaj burg për trafik droge. Pavarësisht këtij vendimi, ai kundërshtoi deportimin duke pretenduar se kishte ende një kërkesë për azil aktive, por këtë muaj gjyqtarja Claire Padley rrëzoi apelimin, duke argumentuar se ai kishte humbur të drejtën e azilit pasi u largua në mënyrë të paligjshme nga hoteli.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Zoto kishte edhe një numër shqiptar kontakti, por autoritetet nuk e kishin kontaktuar asnjëherë, duke lejuar që rasti të zvarritej për tre vite me radhë. Ndërkohë, Home Office nuk e kishte dërguar asnjëherë letrën për tërheqjen e kërkesës për azil, për shkak se nuk dinte ku ndodhej.
Rasti i tij ka ringjallur debat mbi dështimet sistematike të sistemit të emigracionit britanik, me kritikët që theksojnë se “një njeri si Zoto duhet të ishte refuzuar dhe deportuar brenda orëve, jo pas tre vitesh të shtrenjta për taksapaguesin”.
Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2022 mbërritën më shumë se 12,600 shqiptarë në Britani me gomone, përpara se të nënshkruhej marrëveshja për kthimin e tyre në vendin e origjinës. Aktualisht, në vitin 2025, më shumë se 27,000 emigrantë me gomone kanë mbërritur në MB – një rekord që po sfidon zotimet e qeverisë për të “shkatërruar rrjetet e trafikantëve”.
Në një prej videove të fundit, Zoto shfaqej ulur në një kafene të Londrës, me emoji qesharakë dhe një porosi për emigrantët e rinj: “Mos kini frikë nga udhëtimi. Thjesht zhdukuni nga hoteli dhe prisni kushërinjtë të vijnë t’ju marrin.”
Një tjetër rast shqetësues është ai i Parwiz Hanifyar, emigrant afgan, i cili mori miliona shikime në TikTok për një “udhëzues hap pas hapi” për të hyrë në Britani ilegalisht, ndërkohë që aktualisht jeton në një hotel afër aeroportit Heathrow me para të taksapaguesve britanikë.




