Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj pronarëve të lokaleve që ende nuk kanë çmontuar tendat e vendosura në hapësira publike, duke i quajtur ato ndërtime të paligjshme që deformojnë qytetin dhe hapësirën urbane.
Në një video të shpërndarë sot, Rama thekson se nuk do të ketë më asnjë tolerim për ata që zgjedhin të injorojnë afatet dhe paralajmërimet e bashkive. “Kush nuk ka çmontuar ende tendat, do të përballet me pasojat. Nuk ka më lënie afatesh pafund. Do të ndërhyhet me forcë në çdo rast,” tha kryeministri.
Ky reagim vjen në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike në zonat urbane, veçanërisht në qytete bregdetare dhe turistike, ku shumë lokale kanë zaptuar trotuare, rrugica apo pjesë të plazheve me struktura të përkohshme.
Në disa raste, aksionet e mëparshme të Inspektoratit të Ndërtimit janë përballur me rezistencë nga bizneset, të cilat pretendojnë se investimet janë të përkohshme dhe të domosdoshme për sezonin veror. Por qeveria duket se ka vendosur të shtrëngojë litarin, duke i cilësuar këto ndërtime si simbol të kaosit urban dhe abuzimit me ligjin.
Ndërkohë, bashkitë janë urdhëruar të hartojnë lista të sakta të subjekteve që nuk kanë zbatuar urdhrin, ndërsa paralajmërohen edhe masa ndëshkuese për inspektorët që tolerojnë shkeljet.
Ky zhvillim ka ngjallur debat në rrjet, ku qytetarë dhe biznesmenë ndahen mes mbështetjes për rregullin dhe shqetësimeve për ndikimin ekonomik në sektorin e shërbimeve.