Një video prekëse po qarkullon në rrjetet sociale, ku disa keca të vegjël shihen teksa vrapojnë të hutuar mbi një tokë tërësisht të djegur. Pamjet vijnë pas valës shkatërruese të zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit gjatë ditëve të fundit, duke lënë pas toka të djerrë, pyje të zhdukur dhe kafshë të braktisura.
Në sfondin e videos dëgjohet heshtja që lë pas flakët, ndërsa keca të bardhë, të mbetur të vetëm, kërkojnë instinktivisht të gjejnë rrugën në një terr të zi e të shkretuar, aty ku dikur kishte gjelbërim dhe jetë.
Zjarret, të përhapura kryesisht në zona të thella malore dhe fshatra, kanë shkatërruar qindra hektarë tokë, kanë rrezikuar banesa dhe kanë vënë në pikëpyetje edhe kapacitetin institucional për menaxhimin e emergjencave natyrore.
Pamjet e këtyre kecave – të pafajshëm dhe të pambrojtur – janë kthyer në simbolin më të dhimbshëm të pasojave të zjarreve, duke ngjallur reagime të forta nga qytetarët, aktivistët dhe dashamirës të natyrës. Ato nuk janë thjesht një episod vizual, por një thirrje për ndërgjegjësim, reagim dhe përgjegjësi.
Në një kohë kur temperaturat ekstreme dhe neglizhenca njerëzore po bëhen gjithnjë e më shpesh shkaktarë të fatkeqësive të tilla, neglizhenca institucionale e shoqëruar me mungesë ndërhyrjeje efektive, duket se i ka lënë edhe kafshët e pafajshme në mëshirë të fatit.