Pamje shqetësuese nga Shkëmbi i Kavajës tregojnë qindra pushues duke notuar mes ujërave të ndotura, ku sipas denoncimeve po derdhen ujëra të zeza direkt në det. Ngjyra jo natyrale e ujit dhe era e rëndë nuk i kanë ndalur vizitorët – mes tyre edhe fëmijë – të vijojnë lojërat ujore, të pavetëdijshëm për rrezikun.
Ndërkohë që kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, mburret publikisht me “imazhin turistik” të qytetit, zona përballet me një ndotje alarmante që rrezikon shëndetin publik. Ekspertët paralajmërojnë për infeksione të lëkurës, probleme gastrointestinale dhe sëmundje infektive, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për identifikimin e burimit dhe pastrimin e plazhit. Ky incident ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e plazheve dhe mungesën e kontrolleve të cilësisë së ujit në bregdetin shqiptar.







