Nga Maksi Çami
Në vitin 2014, Barack Obama e quajti Rusinë “një fuqi rajonale që kërcënon fqinjët jo nga forca, por nga dobësia”. Atëherë, deklarata dukej një fyerje. Sot, njëmbëdhjetë vjet më vonë dhe pas tre vitesh lufte të përgjakshme në Ukrainë, fjalët e Obamës tingëllojnë më të sakta se kurrë. Megjithatë, si Vladimir Putini ashtu edhe Donald Trump veprojnë sikur kanë të bëjnë me një superfuqi të pathyeshme dhe ky është një iluzion i rrezikshëm.
Statistikat e luftës e zbulojnë realitetin. Vetëm ushtria ruse ka humbur rreth 900 mijë njerëz që prej fillimit të agresionit, nga të cilët mbi 200 mijë janë vrarë. 40% e buxhetit federal po shkon për ushtrinë, ose 8% e gjithë PBB-së. Dhe për çfarë? Vetëm për kontrollin e 20% të territorit ukrainas, pa asnjë përparim të madh muajt e fundit. Ekonomia ruse mbahet gjallë nga eksportet e energjisë drejt Kinës e Indisë dhe nga kreditë e subvencionuara të bankave shtetërore, por ky është një stabilitet i rremë që fsheh një krizë të pashmangshme. Banka Qendrore është detyruar të ngrejë interesat në 21% për të frenuar inflacionin. Pa subvencione, shumë sektorë do të shkonin drejt falimentimit. Ky është realiteti i një shteti që mbahet gjallë vetëm nga lufta. Putini e di se ndalimi i saj do të nxirrte në pah dobësitë e ekonomisë dhe të pushtetit të tij.
Megjithatë, Perëndimi vazhdon të përsërisë të njëjtat gabime. Në 2014, reagimi ndaj aneksimit të Krimesë u kufizua në sanksione të buta dhe vazhdimin e varësisë nga gazi rus. Sot, Trump e trajton Putinin me të njëjtën logjikë: me joshje, jo me presion. Në vend që ta detyrojë të pranojë një armëpushim, ai sugjeron “marrëveshje ekonomike” që nuk bëjnë gjë tjetër veçse e ushqejnë iluzionin se Rusia mund të integrohet përmes koncesioneve. Historia e gazsjellësve Nord Stream duhet të kishte shërbyer si leksion: sa më shumë ta ushqesh arin rus, aq më agresiv bëhet. Putini nuk ka arsye të ndalet. Ai dhe rrethi i tij janë tashmë të pasur, ndërsa e gjithë ekonomia është vënë në shërbim të luftës. Për ta, paqja nuk është fitim, por rrezik. Nëse Perëndimi beson se mund ta bindë përmes ofertave ekonomike, atëherë vetëm sa konfirmon bindjen e Putinit se kundërshtarët e tij janë të dobët dhe të korruptuar.
Zgjidhja është e qartë: një paqe e qëndrueshme nuk arrihet përmes joshjes, por përmes presionit të vendosur. Kjo nënkupton rikthimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, sanksione reale dhe gatishmërinë për të përdorur forcën kur është e nevojshme. Europa nuk mund të presë më nga Amerika: ajo duhet të marrë përgjegjësinë mbi sigurinë e saj. Britania, Franca dhe Polonia po hartojnë plane afatgjata për mbrojtje pa amerikanët, ndërsa Komisioni Europian po përgatit instrumente financiare për investime në mbrojtje. Vetëm një demonstrim i qartë force mund ta zbusë me të vërtetë ariun rus. Përndryshe, historia do të përsëritet dhe dobësia e Perëndimit do të ushqejë agresionin e Kremlinit.