Pamje të rralla kanë ardhur nga “Syri i Kaltër” në momentet kur turistët u detyruan të largoheshin me nxitim pas urdhrit të evakuimit. “Këtu nuk ka më njeri”, dëgjohet të thotë një vizitor i huaj, ndërsa zona, zakonisht e mbushur plot me njerëz, mbeti bosh teksa tymi dhe flakët po afroheshin me shpejtësi.
Zjarri që përfshiu pasditen e djeshme këtë perlë natyrore të Sarandës ka vijuar edhe gjatë natës, megjithëse me intensitet më të ulët. Që prej mëngjesit të sotëm, ndërhyrja po kryhet nga ajri me një avion “Canadair” dhe një helikopter, me synim ndalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Për shkak të rrezikut, autoritetet kanë evakuuar mbi 500 turistë dhe kanë mbyllur përkohësisht qarkullimin në segmentin Muzinë–Sarandë, ndërsa situatë problematike raportohet edhe në rrugën Bistricë–Muzinë.