Vijon të jenë aktive zjarret në Bashkinë Fushë-Arrëz, teksa zjarrfikësit vijojnë luftën me flakët edhe këtë të martë.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjoje në fshatin Xath, teksa kanë kërcënuar edhe banorët dhe shtëpitë e tyre.
Pamjet me dron tregojnë masivitetin e zjarrit që përfshiu zonën, duke pamundësuar ndërhyrjen e emergjencave civile dhe zjarrëfikësve për të ndërhyrë në terren.
Zjarret janë favorizuar dhe nga era e fortë e cila ka mundësuar përhapjen e flakëve, duke djegur masive të mëdha pyjore në fshatin Xath të Bashkisë Fushë-Arrëz.
Vatra e zjarrit në fshatin Xath janë përhapur gjatë natës, duke depërtuar edhe në fshatin Flet dhe zonën “Kunorë Dardhe”.
Zjarri është në sipërfaqe malore, dhe është e vështirë ndërhyrja nga toka, duke u djegur kryesisht pisha dhe bimësi e ndryshme.
Gjatë mbrëmjes së të hënës, policia ka evakuar banorët dhe bagëtitë, teksa rruga Fushë-Arrëz – Bajram Curri u bllokua përkohësisht.
Përgjatë natës 2 mjete zjarrfikëse, 9 zjarrfikës dhe 1 autobot uji, punonjës të pyjores, punonjës Policie, 66 forca ushtarake me 2 automjete zjarrfikëse, si edhe banorë të zonës kanë luftuar me flakët për të mbrojtur banesat dhe pyjet përreth.
Situata u paraqit shqetësuese edhe në bashkinë Malësi e Madhe, ku një sipërfaqe toke është djegur në fshatin Gruemirë.