Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se jugu i Shqipërisë dhe Dhërmiu janë bosh këtë verë, pamjet dhe shifrat nga Porti i Durrësit tregojnë një realitet krejt tjetër.
Java e fundit ka shënuar pikun e mbërritjeve për këtë sezon, me mbi 30 mijë udhëtarë dhe rreth 10 mijë automjete që kanë hyrë në vend nga data 6 gusht deri në paraditen e sotme. Pjesa më e madhe janë shqiptarë të diasporës që zgjedhin të kalojnë pushimet në atdhe, por edhe turistë të huaj.
Vetëm nga e mërkura e kaluar deri të dielën, me tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona kanë mbërritur 29,424 pasagjerë dhe 9,469 automjete. Për të përballuar fluksin, kompanitë detare kanë dyfishuar numrin e lundrimeve në 6 tragete në ditë.
Edhe daljet nga vendi kanë qenë të larta, me 18,664 pasagjerë dhe 5,573 automjete që kanë udhëtuar drejt Italisë.
Në total, gjatë javës kanë lëvizur nëpërmjet portit rreth 50 mijë persona dhe mbi 15 mijë automjete, duke dëshmuar se turizmi është në kulm dhe se Porti i Durrësit është një nga pikat më të nxehta të verës shqiptare.
Vetëm gjatë paradites së sotme kanë mbërritur rreth 4 mijë pasagjerë nga Bari dhe Ankona.