Gjykata e Elbasanit ka lënë në detyrim paraqitje një efektiv policie, i cili tentoi të fshinte provat për vëllain e tij Edison Pemaj, gjithashtu polic, pasi u arrestua për fajde dhe kanosje. Policit, me detyrë në Patrullën e Përgjithshme në Komisariatit nr.4 të Tiranës, i ndalohet gjithashtu edhe dalja jashtë vendit.
Ai akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. AMP bën me dije se efektivi dhe një person tjetër kanë tentuar që të fshehin provat materiale me qëllim lehtësimin e pozitës së të arrestuarit. Në detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendi është lënë edhe personi tjetër i akuzuar, shtetasi E. D.
Edison Pemaj, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në policinë e Elbasanit, u arrestua më 5 korrik pasi u jepte para me fajde personave të ndryshëm dhe më pas i kërcënonte me shumë të mëdha parash. Iu sekuestruan edhe pesë automjete.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj një punonjësi policie dhe një shtetasi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
– Inspektor E. P., me detyrë Trupë Shërbimi / Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë.
– Shtetasi E. D., banues në Tiranë
Në vijimësi të hetimeve të thëlluara në kuadër të operacionit “Last rent”, ka dyshime se punonjësi i policisë në bashkëpunim me shtetasin e sipërpërmendur, kanë tentuar të fshehin prova materiale lidhur me ndalimin me datë 05.07.2025 të punonjësit të policisë E. P., (vëllai i punonjësit E. P.) i dyshuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.