FLASH :

Roveri i NASA zbulon shkëmbinj në formë lulesh si korale në planetin Mars

Roveri “Curiosity” i NASA-s ka realizuar imazhe mbresëlënëse të disa shkëmbinjve në formë koralesh dhe lulesh në sipërfaqen e Marsit, formacione të cilat vlerësohet se janë miliarda vjet të vjetra.

Më 24 korrik, roveri dërgoi një fotografi të një shkëmbi të formuar nga erozioni i erës, me përmasa rreth 2.5 centimetra të gjerë, që ngjan me një fragment të një shkëmbi koralor.

Sipas NASA-s, ky nuk është imazhi i vetëm i këtij lloji. Roveri ka kapur edhe më parë formacione të ngjashme, të cilat janë krijuar kur uji i lëngshëm që dikur ekzistonte në Mars, ka depërtuar në çarjet e shkëmbinjve, duke sjellë me vete minerale të tretura. Kur uji është tharë, këto minerale janë ngurtësuar dhe kanë formuar struktura të pazakonta.

“Kjo është një dukuri e zakonshme që vërehet edhe në Tokë, dhe që ka prodhuar forma mahnitëse edhe në Mars, përfshirë një shkëmb në formë luleje”, thuhet në deklaratën zyrtare të NASA-s.

Agjencia hapësinore thekson se format unike që shihen sot janë rezultat i miliarda viteve erozioni të shkaktuar nga rërat marsiane.

Një nga këto formacione të veçanta, i cilësuar si “Paposo”, u zbulua gjithashtu më 24 korrik, ndërsa një tjetër shkëmb në formë luleje ishte zbuluar më herët në vitin 2022.

Pas një udhëtimi prej tetë muajsh dhe më shumë se 560 milionë kilometrash, roveri i NASA u ul në Mars në vitin 2012. Në atë kohë, ishte roveri më i madh dhe më i avancuar që ishte dërguar ndonjëherë në këtë planet.

Që prej atëherë, roveri ‘Curiosity’ ka përshkuar mbi 35 kilometra në sipërfaqen e Marsit dhe ka dokumentuar dëshmi të rëndësishme kimike dhe minerale që tregojnë se planeti dikur mund të ketë qenë i jetueshëm.