Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton vendosjen e deri në 1,000 trupa të Gardës Kombëtare në rrugët e Uashingtonit, si pjesë e një plani për një marrje federale të kryeqytetit dhe një aksion të ashpër kundër krimit. Më herët, ai ka urdhëruar 120 agjentë të FBI-së të patrullojnë së bashku me policinë vendore dhe agjenci të tjera federale, duke filluar nga e diela në mbrëmje. Pamjet tregojnë agjentë të FBI-së, Patrullës Kufitare dhe DEA-s duke kryer arrestime dhe ruajtur zonat kryesore të qytetit.
Trump ka premtuar të “pastrojë” kryeqytetin, duke larguar menjëherë personat pa strehë nga rrugët dhe duke burgosur kriminelët, ndërsa ka akuzuar qytetin se është “një nga më të rrezikshmit në botë”. Kryetarja e bashkisë Muriel Bowser e kundërshton këtë pretendim, duke theksuar se krimi i dhunshëm ka rënë me 26% krahasuar me vitin 2024 dhe është në nivelin më të ulët në 30 vite. Sipas saj, vendosja e trupave është e panevojshme dhe e motivuar politikisht, por ka pranuar se presidenti ka të drejtë ligjore të aktivizojë Gardën Kombëtare. Trump pritet të japë më shumë detaje gjatë një konference për shtyp të hënën.



