Kavajë – Policia e Kavajës ka vendosur në pranga 3 persona, të dyshuar si autorë të zjarreve në Peqinaj dhe Zhabjak një ditë më parë.
Në njoftimin zyrtar blutë bëjnë me dije se tre personat mes tyre dhe dy gra kishin vendosur zjarr për djegien e mbeturinave, por ky i fundit i doli nga kontrolli.
Si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe të madhe me pemë frutore dhe duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë identifikuar dhe arrestuar 3 shtetas të dyshuar si autorë të zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha toke me pemë frutore, në fshatrat Peqinaj, Kavajë dhe Zhabjak, Rrogozhinë.
Pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në këto zona kishte rënë zjarr, forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve F. P., banuese në Peqinaj, R. M, banues në Zhabjak dhe J. M., banuese në Zhabjak.
Nga hetimet rezultoi se gjatë djegies së mbeturinave në tokat e tyre, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me pemë frutore dhe duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.