Vijon beteja me zjarret në vend. Për shuarjen e vatrës së zjarrit në fshatin Synej të Rrogozhinës është ndërhyrë me një avion Canadair të ardhur nga Kroacia. U bë me dije se avioni po operon që prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa më herët njoftoi edhe mbërritjen në vend të dy helikopterëve ‘Black Hawk’ të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe’.
Në Poliçan, ku situata mbrëmjen e djeshme ishte kritike, sot është në kontroll. Mbrëmjen e së dielës zjarri mori shtrirje të gjerë, dhe i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta, zbriti në kodrat e fshatrave Plirëz dhe Mbrakull. U evakuuan të moshuarit e azilit dhe 6 familje që ndodheshin afër zonës së rrezikut.
Ndërkohë nga zjarri në Finiq raportohet për disa banesa të djegura në fshatin Leshnicë e poshtme. Aktualisht, sipas raportimeve, zjarri vazhdon drejt Leshnicës së Sipërme.
Në Gramsh, në zonën pyjore të fshatit Sojnik, janë nisur edhe helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake që operojnë nga Baza e Kuçovës.