Lugina e Nartës, një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë, është bërë këtë vit shtëpia e parë e një kolonie folezuese të flamingove rozë. Në këtë zonë të mbrojtur, ku shpesh shihen mbi 5 000 flamingo njëherësh, ekspertët kanë zbuluar më shumë se 280 fole, duke e kthyer Nartën në një nga destinacionet më të magjishme të Evropës për këta shpendë.
Ky zhvillim shënon një moment historik për biodiversitetin në Shqipëri, pasi është hera e parë që flamingot zgjedhin të folezojnë në këtë lagunë. Specialistët e mjedisit e cilësojnë këtë si tregues të përmirësimit të kushteve të habitatit dhe si një mundësi të madhe për turizmin e qëndrueshëm dhe vëzhgimin e shpendëve.