Një zjarr ka rënë sërish këtë të diel në qytetin e Poliçanit, në të njëjtën zonë ku vetëm pak ditë më parë ishte raportuar një tjetër vatër zjarri. Flakët kanë përfshirë kodrat përreth Uzinës së Armëve, ndërsa era dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e zjarrit me shpejtësi.
Sipas burimeve nga vendngjarja, në terren ndodhen forcat zjarrfikëse të Poliçanit dhe të Beratit. Nga Reparti Zjarrfikës i Beratit janë dërguar në ndihmë 3 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Po ashtu, në mbështetje të operacionit janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë, që ndodhen në zonë për të ndihmuar në kontrollin e situatës.
Zjarri është përqendruar në pjesën perëndimore të kodrës pranë Uzinës së Armëve, konkretisht në afërsi të zonës B. Sipas zjarrfikësve, aktualisht kjo zonë nuk paraqet rrezik të menjëhershëm, pasi situata është drejt stabilizimit dhe po vihet nën kontroll.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa nuk raportohen rrezik për banesat apo jetën e qytetarëve.