FLASH :

Operator turistik polak denoncon dhunë brutale pranë ujërave termale të Përmetit

Përmet, 2 gusht 2025 — Operatori i një guide turistike polake, Radoslaw Holowczyc, ka denoncuar publikisht se është dhunuar brutalisht nga stafi i një agjencie rivale, gjatë një udhëtimi pranë ujërave termale në zonën e Përmetit. Ngjarja është bërë e ditur nga vetë Holowczyc përmes rrjeteve sociale, ku ka publikuar edhe foto të gjendjes së tij pas incidentit si dhe denoncimin në polici.

Sipas pretendimeve të tij, Albi Miftari, bashkë me Kinga Rosalia Stachóë të agjencisë së udhëtimeve Kaki Tours, dhe dy punonjës shqiptarë i kanë bërë pritë në vendin ku kishte parkuar autobusin e turistëve.

Më rrëzuan përtokë dhe filluan të më shkelmonin në kokë, gjoks, stomak, brinjë. Më grisën vathët, më grabitën telefonin dhe e thyen. Me shumë gjasa më vodhën edhe kapelen, që kishte vlerë sentimentale”, shkruan ai.

Holowczyc thotë se agresorët janë larguar pasi ndërhynë dy turistë francezë. Ai shton se tre ditët pas ngjarjes i ka kaluar kryesisht në spital dhe në polici, duke theksuar se sulmi ka qenë “i paramenduar dhe i diktuar nga urrejtja e xhelozia”, pasi sulmuesit “ishin të informuar për itinerarin”.

Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende një reagim publik mbi rastin, ndërsa nuk ka informacion zyrtar për masa të marra ndaj personave të përmendur. Holowczyc bën me dije se ka depozituar kallëzim penal dhe ka kërkuar ndjekjen ligjore të çështjes