Pushimet e ëndrrave në Solterra Resort, pranë Disney World në Florida, u kthyen në skenë horror për familjen Gibbon nga Britania. Mark Gibbon, 62 vjeç, biznesmen i suksesshëm në fushën e ndriçimit, u arrestua të dielën, më 3 gusht, pasi dyshohet se tentoi të mbytë ish-nusen e tij, Jasmine Wyld, 33 vjeç, në pishinën private të vilës që kishin marrë me qira.
Sipas Polk County Sheriff’s Office, dëshmitarë kanë parë Gibbon duke i shtyrë kokën nën ujë Jasmines në mënyrë të përsëritur, ndërsa e mbesa 9-vjeçare u hodh në pishinë për ta ndaluar, por ai e ka shtyrë mënjanë. Sulmi është ndalur vetëm pasi dy pushuese nga një vilë aty pranë kanë thirrur se kishin njoftuar policinë.
Gibbon u ndalua në orën 17:19 dhe u dërgua në Polk County Jail, ku po mbahet me akuzat për tentativë vrasjeje të shkallës së dytë dhe sulm fizik. Ai i ka thënë policisë se kishte konsumuar alkool dhe ka pranuar se e ka shtyrë nën ujë Jasminen, por mohon se ka dashur ta mbytë.
Burime pranë familjes thonë se prej dy vitesh Gibbon dhe Jasmine – ish-bashkëshortja e djalit të tij, Alex – kanë qenë në një marrëdhënie, e cila ka shkatërruar përfundimisht unitetin familjar. Skandalet e së kaluarës përfshijnë një incident të vitit 2023, kur Alex, pas një konflikti fizik me të atin, e përplasi me makinë, duke përfunduar në burg.
Marrëdhënia e pazakontë mes Gibbon dhe ish-nuses së tij ka lënë pasoja të thella: Alex dhe motra e tij nuk flasin me të atin, ndërsa ish-bashkëshortja e Gibbon është zhvendosur për të mos pasur kontakte me të. Sipas burimeve, konflikti i fundit në Florida mund të ketë shpërthyer për shkak të testamentit të Gibbon, ku ai planifikon të lërë pasurinë – rreth 800 mijë paund – vetëm për nipërit, duke lënë jashtë Jasmine.
Sheriffi Grady Judd komentoi rastin duke thënë:
“Ne presim që pushuesit të sillen, njësoj si banorët tanë të përhershëm. Për shkak se zoti Gibbon nuk mundi të kontrollojë zemërimin e tij, ai mund të qëndrojë në Florida shumë më gjatë se sa kishte planifikuar.”
Jasmine është kthyer në Beaconsfield, Mbretëria e Bashkuar, së bashku me fëmijët e saj, ndërsa Gibbon pritet të dalë para gjykatës më 9 shtator.
Ky incident ka tronditur jo vetëm komunitetin e qetë britanik ku Gibbon jeton, por ka bërë bujë edhe në median amerikane, duke ekspozuar një rrëfim të ndërlikuar familjar ku përzihen dashuri të ndaluara, konflikte të dhunshme dhe pasuri të majme.