Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet intensive në zonat urbane dhe bregdetare, duke përdorur aparate të posaçme zhurmëmatëse për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.
Gjatë verifikimeve në lagjen nr. 13, në zonën e plazhit, u konstatua se një beach bar po gjeneronte muzikë në nivelin 85.5 decibel, mbi normat e lejuara nga ligji. Ky nivel konsiderohet alarmant, pasi sipas standardeve ndërkombëtare, ekspozimi për më shumë se 8 orë ndaj një zhurme të tillë mund të shkaktojë dëmtime të pariparueshme të dëgjimit.
Në zbatim të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, të ndryshuar, administratori i subjektit, shtetasi F. B., u ndëshkua me masë administrative prej 2 milionë lekësh.
Policia e Durrësit u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të cenimit të qetësisë publike dhe garanton ndërhyrje të menjëhershme për zbatimin e ligjit.