Policia e Shtetit dhe Shërbimi Përmbarimor ndërhynë sot në mëngjes për të liruar ambientet në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku operonin redaksitë e televizionit News24. Veprimi u krye në zbatim të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Administrativ.
Sipas Avokaturës së Shtetit, objekti në fjalë ka qenë nën administrimin e shtetit dhe ka mbetur pa titull nga shoqëria “Fokus Media News” që prej datës 22 maj 2022, kur përfundoi kontrata e qirasë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte kërkuar lirimin e pronës deri më 25 korrik 2022, por subjekti nuk e kishte dorëzuar ambientin, duke nisur procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa sigurie për pezullimin e ekzekutimit.
Çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë Gjykatën e Lartë, dhe është shoqëruar me katër vendime mbi masat e sigurisë. Vendimi i fundit, i datës 14 korrik 2025, urdhëron lirimin e menjëhershëm të ambientit dhe thekson se veprimtaria mediatike e subjektit nuk cenohet, pasi mund të zhvendoset në hapësira të tjera. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, prona i është kaluar shoqërisë shtetërore KAYO, me destinacion ekskluziv për bashkëprodhim të mjeteve motorike si pjesë e një projekti strategjik për zhvillimin e industrisë.
Reagimi i Sali Berishës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi ndërprerjen e sinjalit të News24 si një “akt xhelati” dhe hakmarrje primitive e kryeministrit Edi Rama ndaj fjalës së lirë. Ai akuzoi Ramën për ndjekjen e një politike të mbylljes së mediave të pavarura dhe përpjekje për të shmangur lajmet e paanshme, debatin e hapur dhe investigimet mbi aferat qeveritare. Berisha kujtoi se pas mbylljes së Agon Channel dhe sekuestrimit të Ora News, News24 është televizioni i tretë që bie pre e kësaj praktike. PD shprehu solidaritet të plotë me gazetarët dhe punonjësit e televizionit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të sinjalit dhe duke bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që mbrojnë fjalën e lirë të dënojnë veprimin.