FLASH :

Gjykata më e lartë e BE-së godet planin Meloni-Rama

Gjykata më e lartë e Bashkimit Europian (Gjykata e Drejtësisë e BE-së – ECJ) mbështeti vendimin e gjyqtarëve italianë, të cilët kontestuan listën e “vendeve të sigurta” që Italia kishte përpiluar, si pjesë e përpjekjeve për të transferuar emigrantët në qendra ndalimi në Shqipëri. Qeveria e krahut të djathtë e kryeministres Giorgia Meloni reagoi me zemërim ndaj këtij vendimi, duke e quajtur atë një dobësim të politikave anti-emigracionit masiv të paligjshëm.

Si pjesë e marrëveshjes, Italia synonte që deri në 36,000 kërkesa për azil në vit të përpunoheshin në Shqipëri një skemë që tashmë qëndron e pezulluar për muaj me radhë për shkak të pengesave juridike. ECJ, në një vendim të pritshëm prej ditësh, tha se Italia është e lirë të përcaktojë se cilat vende i konsideron “të sigurta”, por theksoi se kjo duhet të bëhet mbi standarde të forta ligjore dhe me qasje për gjyqtarët dhe të interesuarit që të mund të sfidojnë provat e mbështetura ligjore.

Gjykata argumentoi se një vend nuk mund të cilësohet “i sigurt” nëse nuk garanton mbrojtje të mjaftueshme për gjithë popullsinë e tij. Gjyqtarët italianë kishin ngritur pikëpyetje vitin e kaluar për këtë çështje, duke kërkuar transparencë në bazën e kësaj kategorizimi. Italia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje migracioni në nëntor të vitit 2023. Në vitin e kaluar, Italia nisi ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri, të cilat ishin menduar për përpunimin e 36,000 kërkesave për azil në vit. Për fat të keq, objektet mbetën të zbrazëta për muaj të tërë, për shkak të procedurave ligjore.

Një raport i publikuar së fundmi zbuloi se ndërtimi i këtyre qendrave kushtoi shtatë herë më shumë për shtrat se qendrat e ngjashme në Itali. Ndërsa skema shqiptare mbetet pezull, Italia ka shënuar sukses në reduktimin e emigrimit të paligjshëm përmes detit. Deri tani në vitin 2025 janë regjistruar 36,557 ardhje të emigrantëve pak më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, por shumë më pak se 89,165 që u regjistruan gjatë vitit 2023.