FLASH :

Video/Momenti kur polici rrezikon jetën për të shpëtuar tre persona mes flakëve në Fier

Një akt i rrallë trimërie dhe humanizmi ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” në Fier, ku një aksident i rëndë mund të kishte përfunduar në tragjedi pa ndërhyrjen e shpejtë të një polici të qarkullimit rrugor.

26-vjeçari Klajdi Mustaj, prej 18 muajsh pjesë e Policisë së Fierit dhe vetëm 2 muaj në shërbimin e qarkullimit rrugor, ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes kur një automjet humbi kontrollin, u përmbys dhe mbeti i bllokuar në anë të rrugës me katër persona të plagosur brenda. Situata u bë kritike kur nga mjeti filloi të dilte tym i dendur, duke rrezikuar shpërthim.

Pa humbur asnjë sekondë, Mustaj vrapoi drejt makinës, ndihmoi të plagosurit të dilnin, dhe kur pa se një prej tyre nuk mund të lëvizte, e mori në krahë dhe e largoi në një zonë të sigurt. Gjatë ndërhyrjes, ai vetë pësoi lëndime në këmbë, por nuk u ndal derisa të gjithë u nxorën nga rreziku.

Ky gjest heroik tregon fytyrën e vërtetë të një polici që e sheh uniformën si mision për të mbrojtur jetën, duke u bërë shembull frymëzimi për shoqërinë dhe arsye që të vlerësohet publikisht nga institucioni ku shërben.