FLASH :

Video/Momenti kur kampionia olimpike dhunon të dashurin në aeroport

Pamje të siguruara nga Daily Mail tregojnë momentin kur sprinterja amerikane, fituese e medaljes së artë olimpike, Sha’Carri Richardson, shtyn me forcë të dashurin e saj, atleti Christian Coleman, në aeroportin Seattle–Tacoma, muajin e kaluar. Ngjarja çoi në arrestimin e saj për dhunë në familje.

Në video shihet Richardson duke i tërhequr çantën Coleman-it nga pas dhe më pas duke e shtyrë me forcë drejt një kolone, duke tërhequr vëmendjen e pasagjerëve. Ajo e godet disa herë me trup dhe në një moment i hedh një objekt në kokë, dyshohet kufjet e saj.

Sipas policisë, debati filloi pasi Coleman i kishte marrë kufjet. Richardson mohoi se kishte ushtruar dhunë fizike, duke thënë se ishte vetëm një debat verbal. Megjithatë, ajo u arrestua dhe u akuzua për sulm të shkallës së katërt, duke kaluar 18 orë në paraburgim përpara se të lirohej.

Pavarësisht incidentit, Coleman refuzoi të ngrinte akuza ndaj saj, duke deklaruar: “Nuk mendoj se duhej arrestuar. Ishte një situatë e pakëndshme për të dyja palët. Ajo është një person i shkëlqyer dhe sportistja më e mirë në botë.”

Ngjarja ndodhi pak kohë para garave kualifikuese të Kampionatit Kombëtar të Atletikës në Eugene, Oregon. Richardson regjistroi kohën 11.07 sekonda në 100 metra, por u tërhoq nga gjysmëfinalet. Si kampione bote në 100 metra, ajo ka tashmë një vend të siguruar për Botërorin e këtij viti në Tokio.

Richardson ka qenë e përfshirë edhe më parë në polemika, përfshirë përjashtimin nga Lojërat Olimpike Tokio 2021 pas një testi pozitiv për marijuanë.