FLASH :

Kërkoi lirinë nga burgu, shtyhet seanca në GJKKO për ish-Presidentin Ilir Meta!

Ka përfunduar seanca në GJKKO për ish-Kreun e Shtetit, Ilir Meta, i cili kërkoi lirinë.

Mësohet se seanca ndaj Presidentit të PL-së është shtyrë, kjo për shkak se gjyqtari Erjon Bani ka shpallur moskompetencën për të vendosur në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.

Shpallja e moskompetencës u bë pas kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, kjo për shkak se Erjon Bani nuk ka qenë gjyqtari i çështjes së Ilir Metës, por ka qenë i gatshëm.

Vetë ish-Kreu i Shtetit, nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokatët e tij.

Gjithashtu në sallën e gjyqit mungonin edhe tre prokurorët e çështjes, kreu i SPAK, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.

“Pa dyshim që Gjykata do marri kohën e saj brenda 3 muajve, duhet të shprehet. Që i bie brenda muajit tetor do kemi një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese. Beteja jonë do vazhdojë edhe për masën tjetër e cila është rrëzuar në 26 qershor.

Të gjithë dokumentacionin tonë për Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut. Rasti Gëllçi rasti më flagrant i shpërdorimit të ligjit, është shuplakë që Gjykata e të drejtave të njeriut i ka dhënë Gjykatës këtu.

Ilir Meta do të lirohet, nuk ka arsye që të vazhdojë në paraburgim. Beteja do të vazhdojë”, tha avokati i tij.

Më 6 Gusht, përfaqësuesit ligjorë të Ilir Metës, dorëzuan pranë GJKKO kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal ndaj klientit të tyre.

Në kërkesë, argumentohej se SPAK kishte përfunduar hetimet në ngarkim të Ilir Metës, dhe për rrjedhojë, vijimi i masës së paraburgimit nuk kishte më bazë procedurale.

Kujtojmë që më 4 Gusht, Ilir Metës iu komunikua në SPAK mbyllja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në përfundim të seancës, tha se prokurorët nuk sollën asgjë të re, qoftë nga hetimi për CEZ-DIA, ashtu dhe për dosjen e lobimit në SHBA.

Avokati theksoi se betejën do ta bëjnë në gjykatë me proces të zakonshëm dhe jo të shkurtuar, çka pritet të jetë një proces i gjatë gjyqësor.

Akuzat

Ish-presidenti Meta akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA; për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni; si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen.

Ai akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve të veprës penale në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Akuza të ngjashme ka ngritur SPAK edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, njëherazi ish-bashkëshortja a e Metës. Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv. Veç Metës që gjendet në burg, të tjerët janë hetuar në gjendje të lirë.