FLASH :

Video/Momenti kur shkodrani kapet me 2 pistoleta turke në Tiranë, do t’ia shiste grupit të Freskut

I riu nga Shkodra është person me precedent të mëparshëm penal për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Policia e Tiranës ka goditur një rast të shitjes së armëve të zjarrit në zonën e Alliasit.

Gjatë finalizimit të aksionit nga forcat e Komisariatit Nr.4, uniformat blu arrestuan 28-vjeçarin Aleksandër Matoja nga Shkodra, person me precedent të mëparshëm penal për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ai u kap brenda makinës së tij, ku dhe u gjetën 2 pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste personave të tjerë.

Armët vinin nga Turqia, dhe do shiteshin nga 3500 euro copa personave të cilët do ti përdornin për ngjarje kriminale. I arrestuari Aleksandër Matoja është i njohur për policinë pasi më herët ka qenë i arrestuar si anëtar i një grupi kriminal në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Matoja dyshohet se armët do ti shiste tek anëtarët e një grupi kriminal në zonën e Freskut.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Black market”. Sekuestrohen 2 pistoleta.

Arrestohet në Allias, një 28-vjeçar, banues në Shkodër, që dyshohet se do t’ua shiste armët e zjarrit, shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.

I arrestuari, shtetas me precedent penal, si pjesëtar i një grupi kriminal në Shkodër.

Në vijim të kontrolleve dhe punës intensive operative të Policisë së Tiranës, me fokus kapjen e shtetasve që lëvizin të armatosur dhe për pasojë, janë rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Black market”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Shkodër, me precedent për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga kontrolli në automjetin me të cilin ai lëvizte në Allias, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.