FLASH :

Pse Ambasada Amerikane në Tiranë nuk ftoi deputetët e Tom Doshit?

Në diplomaci, ka raste kur heshtja flet më shumë se çdo deklaratë publike. Këtë e tregoi qartë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila zhvilloi takime me deputetët e sapozgjedhur nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Mundësia por asnjë nga kandidatët e rinj të PSD-së së Tom Doshit. Pyetja lind: pse ky përjashtim?
Takimet u zhvilluan me synimin për t’u njohur nga afër me prioritetet dhe shqetësimet e zonave që deputetët përfaqësojnë. Ambasada dha mesazhin se është e gatshme të punojë me gjithë spektrin politik për të forcuar partneritetin me Shqipërinë.
Nga Partia Socialiste ishin të pranishëm Asfloral Haxhiu dhe Ana Nako nga Fieri, Etleva Budini nga Durrësi dhe Ilva Gjuzi nga Tirana. Nga Partia Demokratike morën pjesë Igli Cara dhe Manjola Luku nga Durrësi, Besard Xhaferri nga Tirana, si dhe Erald Kapri nga Partia Mundësia.
Duke u fokusuar te ligjvënësit e rinj dhe personalitetet pa ngarkesa të rënda mbi supe, Ambasada ruan jo vetëm imazhin e saj institucional, por edhe dërgon një mesazh të qartë: partneriteti ndërtohet mbi integritet, transparencë dhe vullnet për reforma. Takimet e fundit tregojnë se SHBA po investon te brezi i ardhshëm i politikës shqiptare, me shpresën për një standard të ri në qeverisje.
Ndërkohë, Tom Doshi vazhdon të mbetet jashtë axhendës së takimeve zyrtare të SHBA-së. Arsyeja është e qartë, në prill të vitit 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen atij dhe familjes së tij në SHBA, duke e akuzuar për “korrupsion të konsiderueshëm”. Që nga ajo kohë, figura e tij nuk është bërë pjesë e asnjë bashkëpunimi apo ceremonie zyrtare me diplomacinë amerikane. Nga ana tjetër edhe Berisha është “non-grata”, por deputetë të partisë së tij janë në takim. Pra ose kemi të bëjmë me një standard të dyfishtë, ku Berisha tolerohet dhe Doshi jo; ose kemi të bëjmë me një shpërfillje të PSD, megjithëse është partia e tretë në vend; ose kemi të bëjmë me faktin që Berisha nuk është më “non-grata”.