Skandalet financiare të Raiffeisen Bank në Shqipëri nuk kanë të ndalur pasi së fundmi kjo bankë ka pranuar se ka lëshuar të paktën 20 kredi me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra me dokumente të falsifikuara.
Kjo situatë u bë e ditur për herë të parë gjatë një procesi civil në Gjykatën e Tiranës, ku banka nuk ka pranuar të japë informacion mbi një kredi të marrë në mënyrë të paligjshme në emrin e një qytetari.
Mesditën e 16 Korrikut 2025, Adem B., me banim në Tiranë, ka marrë një telefonatë.
“Jam punonjëse e bankës Raiffeisen. Ju njoftoj që duhet të kryeni pagesën e këstit të kredisë, pasi jeni me vonesë”.
33-vjeçari është ndjerë i habitur nga kjo telefonatë. Ai i ka sqaruar punonjëses se nuk ka marrë asnjëherë kredi, as tek Raiffeisen dhe as në ndonjë bankë tjetër. Në vijim, Ademi i kërkuar bashkëbisedueses më shumë të dhëna mbi këtë kredi të pretenduar, pasi kuptoi se emri i tij mund të ishte përfshirë në një skemë mashtrimi. Pas kësaj telefonate, ai ka kontaktuar me shërbimin e klientit të bankës Raiffeisen, në të cilën ka kërkuar sqarime më të hollësishme.
“Nuk kam aplikuar asnjëherë për kredi në Raiffeisen Bank dhe as kam numër llogarie në këtë bankë. Kur nuk kam aplikuar për kredi dhe nuk kam numër llogarie në këtë bankë, si është e mundur të kem marr kredi, dhe si është e mundur që kredia të hidhet në një numër llogarie që unë nuk e kam?!. Me sa informacion që unë kam, hapja e llogarisë bankare mund të bëhet vetëm duke u paraqitur pranë sporteleve të bankës personalisht, një gjë të tillë unë nuk e kam bërë”.
Pavarësisht kësaj kërkese zyrtare, banka ka refuzuar t’i japë informacion për kredinë 33-vjeçarit, nën pretendimin se materialet tashmë ishin dorëzuar në Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës.
Në procesin gjyqësor, përfaqësuesit ligjorë të Raiffeisen Bank pranuan se banka është vetë viktimë në këtë çështje, duke theksuar se kanë bërë kallëzim penal dhe po bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për zbardhjen e skemës mashtruese. Sipas tyre, janë identifikuar rreth 20 raste të tilla mashtrimesh, ku secila kredi kap vlerën rreth 9 milionë lekë.
Gjykata refuzoi kërkesën e 33-vjeçarit për detyrimin e bankës për të dhënë informacionin, ndërsa dokumentet e përdorura për hapjen e llogarisë dhe marrjen e kredisë janë rezultuar të falsifikuara. Përfaqësuesit e bankës sqaruan se dokumentat e identitetit të përdorura nuk i përkasin personit të dëmtuar, duke evidentuar një dështim në sistemin e verifikimit të klientëve.
Ky rast hedh dritë mbi mungesat në sigurinë e sistemeve bankare në vend dhe shqetëson klientët për rrezikun e mashtrimeve me dokumente false në sektorin financiar shqiptar.