FLASH :

Thellohet përplasja e Tifozave Kuq e Zi me FSHF-në, TKZ: Bojkotoni ndeshjen me Letoninë, e turpshme heshtja e futbollistëve

Thellohet përplasja e Tifozave Kuq e Zi (TKZ) dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Kritikat dhe dalja kundër e TKZ për bashkorganizimin e Euro 2027 për 21-vjeçarët me Serbinë, bëri që grupimi i tifozëve të Kombëtares mos i kishte më “dyert hapur” në stadium, me të gjitha lehtësitë dhe biletat e dedikuara për grupimin që prej dekadash ndjek ekipin në çdo vend të Evropës.

FSHF ndryshoi skemën e biletave dhe ata si gjithë tifozët do duhet të jenë pjesë e shortit online për një të tillë, kur në fakt në mes gjithë kësaj beteje është Kombëtarja që humbet nga pasioni i tyre.

Tanimë TKZ shkon në një tjetër nivel, duke bërë apel që tifozët të bojkotojnë stadiumin dhe për rrjedhojë Kombëtaren në ndeshjen e 7 shtatorit në Tiranë kundër Letonisë.

Sipas TKZ, FSHF ka nxjerrë biletat në treg me një çmim të ulët, nga frika se nuk ka interes dhe shkallët mbeten bosh. Ata thonë se Federata i ka stigmatizuar haptazi për herë të katërt, duke mos pasur sërish bileta të dedikuara siç ndodh me çdo tifozeri ultras.

“FSHF ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë në Tiranë dhe si për çudi, me çmime të ulëta, nga frika se do t’u mbesin karriget bosh. I njohim mirë këto lëvizje. Është ndeshja e katërt radhazi ku FSHF na ka përjashtuar haptazi, duke na margjinalizuar dhe stigmatizuar qëllimisht. Nuk është rastësi, është vendim politik inatçor”, shkruan TKZ.

Tifozat Kuq e Zi kanë një apel edhe për futbollistët e Kombëtares, për të reaguar në një situatë të tillë.

“Edhe më shqetësuese është heshtja e turpshme e lojtarëve të Kombëtares. Nuk presim të na duartrokasin. Por të paktën të mos harrojnë kush i ka ndjekur në çdo cep të Europës. Kush i ka ngritur kur janë rrëzuar. Kush ka derdhur zë dhe pasion për ta, pa pagesë, pa sponsorë, pa interesa”, vijojnë ata, duke bërë më pas apel për bojkotin e ndeshjes së radhës nga tifozët. “Për këtë arsye, Tifozat Kuq e Zi ju ftojnë të #mosSHKONI ndaj Letonisë. Jo ndaj fanellës, por ndaj atyre që e përdorin atë për interesa personale dhe që duan stadiume plot me heshtje.”

Mesazhi i plotë i TKZ:

Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë në Tiranë dhe si për çudi, me çmime të ulëta, nga frika se do t’u mbesin karriget bosh. I njohim mirë këto lëvizje. Është ndeshja e katërt radhazi ku FSHF na ka përjashtuar haptazi, duke na margjinalizuar dhe stigmatizuar qëllimisht. Nuk është rastësi, është vendim politik inatçor!

Ky përjashtim nuk ka të bëjë me sjellje. Ka të bëjë me qëndrimin tonë. Ne patëm guximin të themi JO bashkëorganizimit të Kampionatit Europian U21 me Serbinë, në një kohë kur ky bashkëpunim fyes e turpërues u prezantua si sukses. Për këtë, TKZ është ndëshkuar dhe etiketuar. Kjo është e vërteta që duan ta fshehin.

Edhe më shqetësuese është heshtja e turpshme e lojtarëve të Kombëtares. Nuk presim të na duartrokasin. Por të paktën të mos harrojnë kush i ka ndjekur në çdo cep të Europës. Kush i ka ngritur kur janë rrëzuar. Kush ka derdhur zë dhe pasion për ta , pa pagesë, pa sponsorë, pa interesa. Sot, kur padrejtësia është e hapur, ata zgjedhin të heshtin dhe t’i shërbejnë qorrazi një federate që përjashton popullin nga Kombëtarja e vet.

Për këtë arsye, Tifozat Kuq e Zi ju ftojnë të #mosSHKONI ndaj Letonisë.
Jo ndaj fanellës, por ndaj atyre që e përdorin atë për interesa personale dhe që duan stadiume plot me heshtje.

Le t’i mbushë FSHF tribunat me modele që marrin bileta me një SMS. Le të kënaqet me versionin “VIP” të Kombëtares, ku bukuria vlen më shumë se zëri, dhe marketingu ka më shumë peshë se përkushtimi.

Kombëtarja është e popullit. Jo e sponsorëve. Jo e klientelës. Jo e zëdhënësve të heshtur.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Ftkz.al%2Fposts%2Fpfbid0p4LM5jCG14oLTtBXVrEwXcaZzEznQK8ir6doHyDuH9yDdkGJ9ukYtCcSuK59oEeTl&show_text=true&width=500