Lushnjë– Një operacion i befasishëm i Policisë së Lushnjës zbuloi një aktivitet të dyfishtë të paligjshëm të një 46-vjeçari.
Aksioni u krye në fshatin Pirrë nga efektivët e Komisariatit, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, duke gjetur 124 fara kanabis sativa, një sasi lënde narkotike dhe gjithashtu lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 46 vjeç, banues në fshatin Pirrë, pasi gjatë kontrollit të kryer në banesën e tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë gjetën 124 fara Cannabisi dhe një sasi të vogël të kësaj lënde narkotike, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale”, tha policia vendore.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, gjithashtu “u kontatua se kishte në banesë, lidhje të paligjshme të energjisë elektrike”.
I dyshuari u paraburgos në pritje të hetimeve nga Prokuroria dhe masës së sigurisë në Gjykatë.