Pamje tronditëse tregojnë çastin kur një motorrist duke ecur me shpejtësi godet një mësuese në trajnim, sapo ajo zbret nga autobusi dhe shkel në trotuar, në Halifax të West Yorkshire.
Viktima, Grace Marriott, në të 30-at, mbeti me mushkëri të shpuar, tre brinjë të thyer dhe këmbë të thyer, duke iu nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale dhe duke pësuar shenja të përhershme.
Autori, 21-vjeçari Macenna Shaw nga Bradford, i cili në momentin e aksidentit mbante një maskë tip balaklave, po udhëtonte me motor Benelli pa targa dhe pa helmetë, madje duke e drejtuar në trotuar. Ai u dënua me 22 muaj burg dhe iu hoq e drejta e drejtimit për 35 muaj, pasi pranoi fajësinë për shkaktim dëmtimi të rëndë trupor nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit.
Ngjarja ndodhi më 4 shtator 2023. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë Marriott duke zbritur nga autobusi dhe duke hedhur një vështrim të shkurtër majtas, përpara se të përplaset dhunshëm nga motori me shpejtësi. Nga goditja, pija dhe çanta e saj shpërndahen në tokë, ndërsa ajo rrëzohet dhe tërhiqet disa metra përgjatë rrugës.
Shaw u rrëzua për një moment, por u ngrit dhe tentoi të largohej, pa u kujdesur për viktimën. Ai u ndalua në vend nga kalimtarët, përfshirë edhe shoferin e autobusit, të cilët e mbajtën të shtrirë në tokë derisa mbërriti policia.
Në momentin e arrestimit, autoritetet i gjetën në xhep një dorezë hekuri (knuckleduster). Një oficer policie jashtë shërbimit dëshmoi se Shaw kishte lënë rreshtin e makinave pas autobusit dhe kishte hipur në trotuar me shpejtësi.
Viktima iu nënshtrua dy operacioneve dhe një transplanti lëkure në këmbë, duke mbajtur një strukturë metalike për 14 muaj. Ajo tha në gjykatë: “Ndjej sikur çdo pjesë e imja më është marrë. Më ka shkatërruar jetën.”
Gjykatësi e cilësoi sjelljen e Shaw si “të rrezikshme dhe të pamatur” dhe urdhëroi që motori i tij të konfiskohet.



