Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën Dukat–Llogara, pranë Gropave të Pirit, ku 22 kuaj janë qëlluar me armë çifte, duke u kthyer në shënjestër të një akti barbar.
Sipas pronarit të kafshëve, Foni Konomi, ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë. Ai shprehet se nuk mund ta imagjinojë se si dikush mund të qëllojë me armë një kafshë si kali. Nga të shtënat, disa kuaj kanë marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, tre prej tyre po marrin trajtim mjekësor, ndërsa të tjerë nuk janë gjetur ende dhe po kërkohen në malet e Karaburunit.
Dyshohet se autorët mund të jenë gjuetarë të paligjshëm që kanë vepruar gjatë natës, ose personat mund të kenë vepruar për motive konkurrencë apo konflikte mes pronarëve të kuajve që ofrojnë guida turistike. Disa prej kafshëve të plagosura ishin të lira në pyjet e Llogarasë për t’u parë nga turistët, ndërsa të tjera përdoren për shëtitje dhe guida.
Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.