FLASH :

Fëmija hidhet nga shkëmbi dhe godet kokën te Gjiri i Gramës

Një incident me pasoja për një të mitur ka ndodhur sot në Gjirin e Gramës, ku një 12-vjeçar me shtetësi të huaj ka pësuar dëmtime në kokë pasi është hedhur nga një shkëmb i lartë në det. Ngjarja alarmoi pushuesit në zonë, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet.

Policia Kufitare e Dhërmiut, në bashkëpunim me ekipin e urgjencës mjekësore, reagoi në kohë dhe u transportua me mjet lundrues drejt vendngjarjes për t’i ofruar ndihmën e parë të miturit. Fatmirësisht, pas ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të ekipeve në terren, i mituri është jashtë rrezikut për jetën dhe u shoqërua nga prindërit drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm.

Ngjarja ka nxjerrë sërish në pah rrezikun e veprimeve të pamenduara në zona të thella dhe të pakontrolluara, siç është Gjiri i Gramës – një destinacion turistik spektakolar, por i vështirë për t’u aksesuar dhe pa mbulim të plotë me rrjet celular.

Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Vlorë u bën thirrje pushuesve që frekuentojnë plazhet e jugut, veçanërisht ato të izoluara, të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin hedhjet nga shkëmbinjtë dhe të marrin masa paraprake për sigurinë personale. Në rast emergjencash, ndërhyrja mund të kërkojë kohë për shkak të terrenit dhe mungesës së aksesit tokësor.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë në vijën bregdetare dhe për të ndërhyrë në çdo rast ku rrezikohet jeta apo shëndeti i pushuesve.