Nën moton “Kundër padrejtësisë, në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës”, sot është zhvilluar një protestë në Prishtinë e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Tubimi u mbajt përpara objektit të institucioneve të drejtësisë, në shenjë kundërshtimi ndaj zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Shkak për protestën u bë lajmi se Gjykata ka pranuar prova të dorëzuara nga shteti i Serbisë – një vendim që veteranët e konsiderojnë të padrejtë dhe politikisht të motivuar, duke shtuar edhe më shumë zemërimin për mënyrën si po trajtohet çështja e drejtësisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Përfaqësues të Organizatës thanë se pranimi i provave nga një shtet që ka kryer gjenocid në Kosovë përbën fyerje dhe padrejtësi të rëndë ndaj luftës çlirimtare dhe të vërtetës historike. Ata kërkuan që drejtësia të mos bëhet me dy standarde dhe që dëshmitë të mos përzihen me propagandën serbe të pasluftës.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët paralajmëruan se kjo është vetëm fillimi, nëse nuk do të ketë reflektim institucional ndaj kërkesave të tyre.
Protesta u thirr pasi u bë e ditur se Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar prova të dorëzuara nga shteti i Serbisë.
Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot me 7 gusht protestë gjithë popullore në Prishtinë kundër mbajtjes së padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në burgun e Hagës.
Në një konferencë për media të hënën, Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK, tha se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 17:00.
Përveç kësaj, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, u shpreh se gjykimi i luftëtarëve të UÇK-së është i padrejtë dhe përbëhet nga një gjykatë që ata nuk e njohin.
Jashari theksoi se mënyra se në të cilën është ngritur Gjykata Speciale është dashur që të jetë inekzistente.
Nënkryetari i OVL-UÇK në konferencën për media që u mbajt dje tregoi se kush do të mbajë fjalim në këtë tubim.
“Folës të kësaj proteste do jene profesoresha universitare, zonja Nevenka edhe organizuesi i kësaj proteste, Hysni Gucati, pastaj do të jetë edhe një bashkëluftëtari joni, kryetari i BDI, Ali Ahmeti edhe një djalë dëshmori”, tha fillimisht ai.
Po ashtu Syla potencoi se janë ndërmarrë të gjitha hapat që protesta të ketë mbarëvajtje të rregullt.
“Në kuadër të organizimit të protestës të paralajmëruar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë bërë të gjitha përgatitjet, kemi kërkuar lejen e Komunës së Prishtinës, është njoftuar Policia e Kosovës, është angazhuar ambulanca kemi bërë kërkesë të kemi një ambulantë nëse ka nevojë. I është dhënë mundësia kushdo që ka dëshirë me marrë pjesë në protestë me autobus. Kemi komunikuar me parkingun Prishtina, ka mbet vetëm nesër(sot) me fillu protesta”, tha Syla.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.
Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.