FLASH :

Agjentët imobiliarë tashmë e thonë troç atë që e kemi thënë prej 6 muajsh: ka nisur rënia e pjerrët e çmimeve të apartamenteve.

Pas muajsh spekulimesh, pritjesh dhe premtimesh politike, duket se “pallati i ëndrrave” për shumë shqiptarë po zbret më në fund me këmbë në tokë. Agjentet imobiliarë, të cilët ndryshe nga gjuha diplomatike e politikanëve, po e thonë hapur: çmimet e apartamenteve në Tiranë po bien “pikiatë”.
Ndërtimet e sapopërfunduara shiten tashmë me mbishkrime si: “Ishte 95.000 euro, tani 72.000” apo “Nga janari, 50.000 euro në Tiranë”. Po, 50 mijë! Dhe këtë nuk e thonë më ekspertët anonimë, por vetë ata që i shesin , agjentët, të cilët deri dje bënin “inflacion me llafe” dhe sot po bëjnë zbritje me video.

Në sfondin e këtij trendi është edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka dalë publikisht me disa iniciativa për të disiplinuar tregun dhe kantierët e ndërtimit. Por agjentët duket se i kanë lexuar ndryshe deklaratat e tij, duke i interpretuar si sinjale për ulje drastike të çmimeve. Dhe nuk kanë humbur kohë: oferta, ulje, “kapanon me dokumente të rregullta” gjithçka për të nxitur blerësin e lodhur nga pritja dhe frika e mbifaturave.

Prej muajsh ekspertët e tregut po flasin për një ngadalësim të frikshëm në shitblerje, e tani duket se edhe vetë tregtarët e pronave e kanë kuptuar: epoka e flluskës po shkon drejt shpërthimit. Nëse deri dje kërkohej “3000 euro/m²”, sot ndërtuesit po ngushëllohen me “hajde vetëm pyet”.

Redaksia Troc ka muaj që e ka paralajmëruar këtë zhvillim, duke sjellë argumente ekonomike të qarta për uljen e çmimeve, të ndikuara direkt nga kullat abuzive në qendër të Tiranës, të cilat, përmes mbifryrjes me para të dyshimta dhe të ardhura nga krimi, shkatërruan balancat e tregut. Por tashmë flluska ka plasur. Investitorët e zgjuar po lëvizin drejt periferive të Tiranës dhe zonave bregdetare, ku çmimet janë më realiste, potenciali i rritjes është më i qëndrueshëm dhe rreziku për të mbetur me një apartament bosh mbi kulla është shumë më i vogël.