Një tërmet me magnitudë 4.6 ballë është regjistruar të mërkurën në mëngjes në afërsi të Mount Spurr, një nga vullkanet më të mëdha në Alaskë, që ndodhet nën vëzhgim të vazhdueshëm për aktivitet të mundshëm shpërthyes.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti ndodhi rreth 86 milje larg nga Mount Spurr, në zonën e Petersville, në një thellësi prej 52 miljesh nën tokë. Tërmeti është ndjerë edhe në qytetin Anchorage dhe në rajonin Matanuska-Susitna, më shumë se 100 milje larg epiqendrës, me rreth 200 raportime nga qytetarët për lëkundje.
Mount Spurr nën vëzhgim të rreptë
Mount Spurr ndodhet nën statusin “Advisory”, për shkak të niveli të ulët të aktivitetit, por me prani të mikrolëkundjeve të shpeshta poshtë vullkanit. Ekspertët e Observatorit të Vullkaneve të Alaskës (AVO) kanë deklaruar se, ndonëse aktualisht nuk ka shenja të një shpërthimi të menjëhershëm, ndryshimet e papritura në aktivitetin vullkanik janë të zakonshme dhe nuk përjashtohet mundësia e një shpërthimi.
Një studim i vitit 2021 i publikuar në revistën Nature tregon se tërmetet afër vullkaneve që tashmë janë në gjendje të shqetësuar (si Mount Spurr) mund të nxisin shpërthime, sidomos nëse ka presion të lartë të magmës dhe grumbullim të gazrave nëntokësorë.
Rreziku i një shpërthimi si në vitin 1992
Mount Spurr pati shpërthimin e fundit të madh në vitin 1992, në kraterin anësor të quajtur Crater Peak. Nëse ndodh një shpërthim i ngjashëm, re të mëdha hiri mund të ngrihen deri në 15 kilometra lartësi, duke prekur qytetin e Anchorage dhe komunitetet përreth me një shtresë të dendur pluhuri vullkanik.
Ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut, rrëkeve balte dhe ortekëve të materialeve vullkanike, që mund të zbresin me shpejtësi mbi 300 km/h nga faqet e malit. Fatmirësisht, nuk ka komunitete të vendosura brenda rrezes së rrezikut të drejtpërdrejtë.
Rajoni në rrezik sizmik
Zona përreth Petersville ndodhet mbi thyerjen Broad Pass, një linjë aktive tektonike që mund të gjenerojë tërmete deri në magnitudë 7.6–7.8, çka e bën këtë rajon një pikë kritike për monitorim sizmik dhe vullkanik.

