FLASH :

Bulqizë/ Vdekja e minatorit nga shembja e kromit, arrestohen 5 punonjës të stafit teknik të kompanisë minerare

Policia njoftoi këtë të enjte se janë arrestuar 5 punonjës të kompanisë minerare “Gerti Sh.p.k,”, ku ishte i punësuar 66-vjeçari Fari Veliu, i cili humbi jetën ditën e djeshme në një minierë kromi në Bulqizë, si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor.

Në komunikatën e policisë thuhet se punonjësit e arrestuar, të identifikuar me inicialet Nj. P., B. Ç., F. T., E. K., dhe E. Xh., janë të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar dhe se nuk kishin marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në galerinë ku humbi jetën 66-vjeçari.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar”,- njofton policia.

Ngjarja ka ndodhur në subjektin minerar “Gerti shpk”, me aksioner të vetëm Jeton Danin, ku edhe më herët kanë ndodhur aksidente në punë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.