FLASH :

Mbrëmje evropiane për Egnatian dhe Dinamon, sot kërkohet mrekullia në Conference League

Egnatia dhe Dinamo kanë një mision jo të pamundur sot në Evropë. Në turin e tretë të Conference League, për sfidat e para, Egnatia luan në transfertë kundër Olimpija Ljubljana, ndërsa në Split, Dinamo përballet me Hajdukun.

Në orën 20:00 në Slloveni, kampionët e Shqipërisë, Egnatia ka një detyrë jo të lehtë kundër kampionëve vendas. Edhe pse Olimpija ndërroi trajner vetëm disa ditë më parë, organika e rivalëve është për t’u respektuar. Pasi eliminuan Dinamon e Minskut një tur më parë, Egnatia do kërkojë të bëjë surprizën dhe të kërkojë historinë për të shkuar në play-off e këtij kompeticioni.

Në orën 21:00 në Kroaci, Hajduku i Splitit pret Dinamon. Djemtë e Ilir Dajës kanë përballë një rival historik dhe në letër kroatët janë më shumë se të favorizuar. Futbolli luhet në fushë dhe Dinamo do kërkojë të bëjë pjesën e saj, paçka se pa Itodo Mandelën të shitur te Metalist në Ukrainë.

Në fushë zbresin edhe dy klubet nga Kosova. Në orën 20:30 Ballkani pret në “Fadil Vokrri” irlandezët e Shamrock Rovers (Conference League). Ndërkohë në turin e tretë të Europa League, Drita e Gjilanit luan kundër Steauas në Bukuresht, po në orën 20:30.