FLASH :

Zjarr në Finiq, operacion nga ajri për shuarjen e flakëve, evakuohen banorët

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit, në bashkinë Finiq, kanë shpërthyer vatra aktive zjarri, të cilat po përhapen me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të vështirë.

Ekipet e zjarrfikësve, të mbështetura nga trupat e Forcave të Armatosura, Policia e Shtetit dhe ndërhyrja nga ajri, janë angazhuar prej orësh për të vënë flakët nën kontroll. Sipas njoftimit zyrtar, efektivët po luftojnë intensivisht për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe kanë ndihmuar në evakuimin e përkohshëm të banorëve, duke i shoqëruar jashtë perimetrit të rrezikut.

Ministria thekson se operacioni po vijon në kushte të vështira dhe me gjithë kapacitetet e disponueshme, për të shmangur dëme të mëdha në banesa, sipërfaqe pyjore dhe ekonomi lokale.

Situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e forcave të sigurisë dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme në zonat e prekura.