Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia përbën një “kërcënim të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare të SHBA, ndërsa afati i vendosur për Vladimir Putinin për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës është pranë përfundimit — dhe Moska nuk jep shenja tërheqjeje.
Trump i kishte dhënë afat deri të premten liderit rus për të rënë dakord për një armëpushim me Ukrainën, duke kërcënuar me tarifa të rënda ndaj partnerëve kryesorë tregtarë të Rusisë në rast mosbindjeje.
Vetëm pak orë pasi i dërguari i tij i lartë, Steve Witkoff, zhvilloi një takim me Putinin, Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që rrit tarifat mbi mallrat indiane në 50%, pas vendimit të Nju Delhit për të blerë naftë nga Rusia.
“Kam marrë informacion shtesë nga disa zyrtarë të lartë për veprimet e qeverisë së Federatës Ruse lidhur me situatën në Ukrainë,” deklaroi Trump pas takimit Witkoff–Putin. “Rusia përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.”
Ai shtoi se ishte “e nevojshme dhe e përshtatshme” që SHBA të vendosë një tarifë shtesë mbi mallrat e importuara nga India, e cila “direkt ose indirekt, importon naftë nga Federata Ruse.”
India është një nga blerëset kryesore të naftës ruse – burimi financiar më i rëndësishëm për makinerinë ushtarake të Putinit në Ukrainë. Vendimi i Trump sinjalizon një kthesë të ashpër në politikën e jashtme amerikane dhe vendos përballë SHBA-së një nga partnerët e saj kryesorë në Azi.