Muzika, arti dhe historia u bashkuan në koncertin “Meloditë e Mesdheut”, duke sjellë emocione të forta dhe përjetime të veçanta për publikun.
Sopranoja e njohur Inva Mula, një nga zërat më të mëdhenj të skenës operistike shqiptare dhe ndërkombëtare, u ngjit për herë të parë në skenën e Amfiteatrit Antik të Durrësit, ndërsa interpretoi një repertor të zgjedhur enkas për publikun durrsak, e shoqëruar nga instrumentistët virtuozë Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violinçel, si dhe kori i fëmijëve “Okarina”.
“E kam për herë të parë në amfiteatër. Dukesh sikur del nga legjenda në këtë vend kaq të bukur, kaq mitik. Fillojmë një udhëtim, i cili fillon nga Shqipëria dhe shpërndahet në Francë, në Itali, në Spanjë, në Greqi, në Turqi, në Egjipt, për ta mbyllur sërish në Shqipëri”, është shprehur Inva Mula.
Edhe pianisti Ekland Hasa shprehu emocionin e të performuarit për herë të parë në Durrës.
“Jemi të thirrur nga një divë e muzikës shqiptare dhe gëzim i madh se hera e parë interpretoj në Durrës. Janë ‘Meloditë e Mesdheut’, pra Inva dhe me shumë orkestrime që kam realizuar, sa i përket anës emotive, janë më tepër këngë që i lag Mesdheu: kënga nga Turqia, Italia, nga Spanja, nga Kroacia, repertor shumë interesant”.
Publiku, mes të cilëve edhe turistë, përjetoi një udhëtim muzikor përgjatë brigjeve të Mesdheut, nëpërmjet tingujve që sollën frymën e përbashkët të këtij rajoni.