FLASH :

‘Dita më e errët për klubin’, tifozët e Villarreal peticion kundër firmës me Thomas Partey! Mesfushori akuzohet për përdhunim

Tifozët e Villarreal kanë dalë kundër klubit për firmën me Thomas Partey, ish-mesfushorin e Arsenalit që ka pesë akuza për përdhunim. Një peticion online është firmosur nga mbështetësit e spanjollëve kundër tij.

SPANJË – Lajmi se ish-mesfushori i Arsenalit, Thomas Partey, është gati të bashkohet me Villarrealin ka mërzitur tifozët e klubit spanjoll dhe me qindra persona kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar ndalimin e asaj që është përshkruar si “dita më e errët në historinë e klubit”.

Partey u paraqit në një gjykatë në Londër të martën, i akuzuar për pesë akuza për përdhunim që lidhen me dy gra dhe një akuzë për sulm seksual ndaj një gruaje të tretë. Veprat e dyshuara thuhet se kanë ndodhur në vitet 2021 dhe 2022 kur Partey luante për Arsenalin. Avokati i Partey ka thënë se ai i mohon të gjitha akuzat.

Partey u la i lirë me kusht të martën dhe kryegjyqtari tha se 32-vjeçari do të zhvendoset së shpejti në Spanjë. Villarreal ka rënë dakord të nënshkruajë me mesfushorin ganez një kontratë një vjeçare me mundësi zgjatjeje për 12 muaj të tjerë.

‘Lajmi ishte një tronditje për tifozët e Villarrealit’, tha Rahul Lakhani, gazetar sportiv dhe ekspert i La Ligës pas llogarisë La Liga London.

Ndërsa Arsenali përgatitet të presë Villarrealin në një ndeshje miqësore të mërkurën, Lakhani e përshkroi nënshkrimin e mundshëm të Parteyt si një “njollë” për Villarrealin, një klub që është thellësisht i lidhur me qytetin e tij prej 50.000 banorësh.

“Ata shihen ndryshe nga Real Madrid ose Barcelona. Është një klub që ka ndihmuar shumë komunitetin e vet, që shihet si një klub familjar”, tha ai.

Mbërritja e Parteyt, tha ai, ndoshta do ta ndryshojë këtë imazh. “Emri i tyre tani do të lidhet me dëshirën për të nënshkruar me dikë që ka pesë akuza për përdhunim mbi kokë, në vend që të njihen si klub që luan futboll të mirë ose që i tejkalon pritshmëritë”.