FLASH :

Italia miraton ndërtimin e urës që do të lidhë Sicilinë me pjesën kontinentale

Pas më shumë se 50 vitesh debate dhe plane të anuluara, qeveria italiane ka miratuar ndërtimin e një ure gjigante që do të lidhë ishullin e Siçilisë me pjesën kontinentale të Italisë. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Matteo Salvini, njoftoi të mërkurën se projekti ka marrë dritën jeshile dhe do të kushtojë rreth 15.6 miliardë dollarë.

Ura me gjatësi dy milje do të jetë më e gjata në botë me një hapësirë të vetme të varur, e projektuar për të përballuar si automjetet ashtu edhe trenat. Ajo do të lidhë qytetin e Messinës në Siçili me qytetin Villa San Giovanni në Kalabri.

Ndërsa qeveria e kryeministres Giorgia Meloni promovon projektin si një hap të madh për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në jug të vendit, kritikët paralajmërojnë për pasoja të rënda mjedisore, sociale dhe teknike. Banorët lokalë shprehin shqetësime për zhvendosjet e detyruara, ndërsa grupet ambientaliste dhe partitë opozitare theksojnë rrezikun e përfshirjes së mafies, si dhe faktin që zona është e rrezikuar nga tërmete, kujtojmë se në vitin 1908 një tërmet shkatërroi Messinën, duke vrarë gjysmën e popullsisë.

Kompania italiane Webuild, që do të udhëheqë konsorciumin ndërtues, deklaroi se projekti do të jetë një “katalizator për investimet në Italinë e Jugut”. Megjithatë, Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL) i ka dërguar një letër Komisionit Evropian, duke kërkuar ndërhyrje për shkak të “problemeve serioze teknike, mjedisore dhe sociale”.

Nëse opozita do të arrijë ta ndalojë ose vonojë projektin, mbetet për t’u parë. Por qeveria duket më e vendosur se kurrë që kësaj radhe, ura do të ndërtohet.