Pamje të publikuara online tregojnë momentin kur një burrë përpiqet t’i vërë flakën xhamisë së famshme Hagia Sophia në Stamboll. Incidenti ndodhi brenda ambienteve të xhamisë, ndërsa tentativa për zjarrvënie u ndalua falë ndërhyrjes së shpejtë të një gruaje, e cila e vuri re zjarrin dhe njoftoi menjëherë imamin.
Zjarri u shua pa shkaktuar dëme të mëdha, por ngjarja ka shkaktuar shqetësim të gjerë në opinionin publik dhe komunitetin besimtar. Autoritetet turke kanë nisur një operacion kërkimi për identifikimin dhe arrestimin e autorit, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa largohej nga vendi i ngjarjes.
Policia po heton motivet e mundshme pas këtij akti të rëndë, ndërsa xhamia mbetet e hapur për besimtarët dhe turistët nën masa të shtuara sigurie. Hagia Sophia, e kthyer në xhami në vitin 2020, është një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe historike në botë.