FLASH :

Video/Skena tronditëse në plazhin spanjoll: Emigrantët zbarkojnë me gomone, pushuesit i ndalojnë me duart e tyre

Një ngjarje e pazakontë dhe dramatike ka ndodhur këtë të diel në plazhin e mbushur me pushues në Sotillo Beach, në Castell de Ferro të Granadës, ku rreth 13 emigrantë të dyshuar, kryesisht nga Maroku, zbarkuan me një gomone përpara familjeve të habitura.

Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë momentin kur gomonia me të rinj ndalet vetëm pak metra nga bregu dhe pasagjerët hidhen në ujë, duke vrapuar drejt plazhit për t’u përzier me turmën. Disa pushues i përshkruan skenat si “surreale”, ndërsa të tjerë nuk hezituan të ndërhyjnë për t’i ndaluar.

Një prej pushuesve, veshur vetëm me rroba banje, u filmua duke rrëzuar një nga të rinjtë në rërë dhe duke e mbajtur aty deri në mbërritjen e policisë. “Menduam se ishte një barkë zbavitëse, por kur filluan të hidheshin njerëz në ujë, e kuptuam se diçka nuk ishte në rregull”, tregoi Alberto Garcia, pronar i një restoranti pranë plazhit.

Policia vendore dhe Guardia Civil konfirmuan se u arrestuan nëntë prej emigrantëve, ndërsa tre të tjerë u ndihmuan për t’u identifikuar më pas. “Rojet bregdetare na informuan menjëherë, dhe së bashku me pushuesit arritëm të ndalojmë disa prej tyre”, u shprehën autoritetet lokale.

Ky incident vjen vetëm disa javë pasi një emigrant tjetër u shpëtua në mes të detit, 12 milje larg bregut të Malagës, teksa përpiqej të kalonte ngushticën e Gjibraltarit me rrathe gome dhe pendë noti.

Sipas organizatës “Caminando Fronteras”, mbi 61,000 emigrantë kanë mbërritur në Spanjë përmes detit në vitin 2024 – një shifër rekord. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025, thuhet se rreth 1,865 emigrantë janë shpallur të vdekur ose të zhdukur gjatë përpjekjeve për të kaluar detin, përfshirë gra dhe fëmijë.

Tragjedia dhe presioni i emigracionit në brigjet e Spanjës vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa autoritetet përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha për menaxhimin e situatës.