FLASH :

Video/Zbardhet autorësia e atentatit me tritol ndaj Elvis Kosovës: Policia shpall në kërkim 36-vjeçarin nga Fushë-Kruja

Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e dyshuar të shpërthimit me lëndë plasëse në portën e garazhit të biznesmenit Elvis Kosova, ngjarje e ndodhur më 24 korrik 2025 në rrugën “Peti”, pranë Liqenit të Thatë. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin K. S., 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i cili është shpallur në kërkim.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:50 të mëngjesit, kur një sasi tritoli shpërtheu në derën hyrëse të garazhit të “Visit të Garave”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në fasadë dhe duke dëmtuar katër automjete të parkuara përreth. Edhe pse hetimet paraprake nuk zbuluan konflikte të drejtpërdrejta të pronarit me persona të tjerë, dyshohet se ngjarja ka qenë një akt paralajmërues, i lidhur me çështje të mundshme të prapaskenës.

Policia vijon punën për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.