FLASH :

DASH mund të kërkojë 15 mijë USD për të dhënë viza për në SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit ka propozuar një rregull të ri që mund të ndikojë ndjeshëm në aplikantët për vizë. Sipas njoftimit të publikuar, personat që aplikojnë për vizë turistike apo biznesi nga vende me shkallë të lartë qëndrimi të paligjshëm dhe me kontroll të dobët të dokumenteve mund të detyrohen të paguajnë një garanci (bond) prej 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarësh.

Ky program pilot do të zgjasë 12 muaj dhe synon të sigurojë që qeveria amerikane të mos mbajë përgjegjësi financiare në rast se një vizitor nuk respekton kushtet e vizës së tij. Masa pritet të hyjë në fuqi brenda 15 ditëve nga publikimi zyrtar në Federal Register.

Po ashtu, janë forcuar edhe kërkesat për aplikantët e lotarisë së vizave, të cilët tani duhet të kenë pasaportë të vlefshme të vendit të tyre të shtetësisë në momentin e aplikimit. Gjithashtu, disa aplikantë për rinovim vizash do të duhet të paraqiten fizikisht për intervistë, ndryshe nga më parë.

Kjo lëvizje është pjesë e një qasjeje më të ashpër të administratës aktuale për kontrollin e hyrjeve në SHBA.