FLASH :

Familja e studentit saudit të vrarë në Cambridge/ Britania nuk është më e sigurt për vizitorët

Familja e Mohammed Algasim, një studenti 20-vjeçar nga Arabia Saudite i cili u vra me thikë pranë apartamenteve luksoze në Cambridge, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar “nuk është më një vend i sigurt” për studentët dhe turistët. Policia britanike thotë se ai u sulmua në mënyrë të paprovokuar të shtunën në mesnatë në zonën e Mill Park, pranë stacionit hekurudhor.

Për vrasjen është akuzuar 21-vjeçari Chas Corrigan nga Cambridge, i cili u paraqit sot në gjykatën e Peterborough dhe do të qëndrojë në paraburgim deri në seancën e radhës. Një 50-vjeçar është arrestuar gjithashtu nën dyshimin për ndihmë ndaj autorit.

Algasim ndodhej në Cambridge për një program 10-javor studimi në EF International Language Campuses. Shkolla konfirmoi vdekjen e tij, duke e cilësuar humbjen si tragjike. Familja e përshkroi atë si “të sjellshëm, trim dhe zemërbardhë”, ndërsa pranë vendngjarjes u vendosën buqeta me lule dhe mesazhe ngushëllimi.

Një ekzaminim mjeko-ligjor pritet të zhvillohet të martën për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.