Daniel Cornea, shtetas rumun, është shpallur në kërkim ndërkombëtar si i dyshuari kryesor për vrasjen e Renato Hoxhës, ngjarje e ndodhur më 27 prill të këtij viti në qytetin e Vlorës. Ai rezulton të jetë një person me precedentë të rëndë kriminal, sidomos në fushën e krimeve kundër personit.
Sipas hetimeve, autori i maskuar dhe me kapele i ka zënë pritë viktimës pranë banesës së tij, dhe e ka qëlluar me katër plumba pistolete. Pas krimit, ai është larguar me shpejtësi në një shteg të mbuluar me bimësi, duke u zhdukur drejt kodrës “Kuzum Baba”.
Për këtë ngjarje ndodhet në paraburgim edhe Kleanth Bylyku, i arrestuar më 1 gusht ndërsa udhëtonte me një automjet tip “Audi” të bardhë. Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasje.
Hetuesit dyshojnë se ekzekutimi i 58-vjeçarit është porositur nga Dubai, ku mendohet se fshihen disa prej drejtuesve të grupeve kriminale. Ka gjithashtu dyshime se viktima mund të ketë qenë informator për një grup kundërshtar, çka mund të ketë sjellë vendimin për eliminimin e tij.